Rrëshqitja në të djathtë dhe në autoritarizëm e populizëm në përgjithësi, mund të vihet re në shumicën e shoqërive dhe qeverive evropiane. Ky fenomen vjen më i theksuar sidomos si pasojë e flukseve të mëdha të refugjatëve nga bota e tretë dhe nga Ballkani, që kanë përjetuar këto shoqëri dy-tri vitet e fundit. Si përfundim, as Zvicra nuk ka mundur të mbetet indiferente karshi këtyre lëvizjeve.
Siç shkruan portali swissinfo.ch., Zvicra është në vendin e pestë në Evropë për nga “përbërja populiste” ose ndikimi i populizmit të djathtë në politikën e saj. Këtë përfundim e ka nxjerrë një studim i realizuar nga instituti liberal suedez për hulumtimin e opinionit, “Timbro”, transmeton albinfo.ch. Më shumë populizëm se në Zvicër ka vetëm në vendet si Greqia, Hungaria, Polonia dhe Italia, konstaton studimi.
“Authoritarian Populism Index”, siç quhet ky raport i publikuar të enjten, autoritarizmin dhe populizmin në politikën zvicerane ia referon pranisë së fuqishme të partisë populiste të djathtë SVP në këtë politikë, përcjell albinfo.ch. SVP/UDC është prej vitesh partia më e madhe në Zvicër. Në zgjedhjet e fundit madje, ajo është rritur nga 26.6% në 29.9%.
Në vazhdim në këtë studim theksohet se SVP është e përfaqësuar me dy ministra në kabinetin qeveritar. Suksesin e kësaj partie, autori i studimit, Andreas Johansson Heinö e shpjegon me faktin se SVP ishte pjesë e qeverisë edhe para fillimit të “strategjisë së re të djathtë”.
Studimi tregon se partitë populiste kurrë sikur tash nuk kanë pasur sukses të zgjidhen kaq shpesh në shtetet e Evropës. Mesatarisht çdo i pesti qytetar evropian ka votuar gjatë vitit 2015 pë një parti populiste, të djathtë ose të majtë.
Kriza e refugjatëve ka qenë sipas autorit të përmendur shkaku i këtij trendi.