Përballë milionave të Los Angeles Galaxy dhe futbollistëve të njohur të skuadrës kaliforniane, ia ka dalë të spikasë një shqiptar si Shkëlzen Gashi, shkruan albinfo.ch.
Protagonisti i kombëtares kuqezi shënoi një gol vërtet të bukur në sfidën e MLS-së, duke entuziazmuar mijëra të pranishmit të “StubHub Center”.
Në një 90-minutësh, ku Colorado Rapids dhe Los Angeles Galaxy luftonin për pikë të vyera në betejën për kampionatin, u bënë protagonistë mesfushori anglez Steven Gerrard dhe portieri veteran, Tim Howard, por kulmi i sfidës ishte Shkëlzen Gashi.
Me një goditje nga distanca, sulmuesi kosovar befasoi gardianin e formacionit kalifornian, duke fituar dhe përgëzimet e lojtarëve si Robbie Keane, Ashley Cole apo Gerrard. Los Angeles Galaxy barazoi më pas me Daniel Steres, ndërsa Gashi u shpall lojtari më i mirë i sfidës.
Ky ishte goli i katërt për sulmuesin e përfaqësues kuqezi në këtë sezon të Major League Soccer ndërkohë që Gashi numëron dhe tre asistime.
Pas këtij barazimi Colorado Rapids mban vendin e dytë në Konferencën e Perëndimit me tre pikë më pak se Dallas që kryeson, por skuadra nga Denveri ka dy ndeshje më tepër për të zhvilluar.