Nuri Seferi do të ngjitet sërish në ring brenda këtij viti për një tjetër duel. Boksieri shqiptar do të përballet kundër turkut Firat Arslan, ish-kampion bote dhe disa herë sfidues i kampionëve të mëdhenj të botës. Ndeshja do të zhvillohet më 17 shtator, në Göppingen të Gjermanisë.
Në llogarinë e tij në Facebook Nuri Seferi është shprehur i gatshëm për luftimin e radhës. Ndeshjen e 17 shtatorit ai e konsideron si mjaft të rëndësishme për karrierën e tij dhe për këtë ai po përgatitet intensivisht.
“Kundërshtari im është një emër shumë i njohur i boksit botëror, një boksier shumë i madh, me një karrierë mjaft të pasur. Ish-kampion bote dhe disa herë sfidues i shumë emrave të mëdhenj të kategorisë “Cruiser”, ka shkruar ai, transmeton albinfo.ch.
“Taisoni shqiptar” uron që stërvitjet të ecin në mënyrën e duhur e të përfundojë gjithçka sipas planit dhe së bashku me mbështetjen e publikut të dalë kokëlart në fund të ndeshjes.
“Unë besoj te kualiteti im dhe do të jem unë ai që do të ngre lart flamurin kuq e zi në fund të ndeshjes për të festuar fitoren, e cila ka një peshë mjaftë të madhe për të ardhmen e karrierës sime”.
Në maj të këtij viti boksieri shqiptar fitoi ndaj serbit Dusan Krstin.
Seferi është 39-vjeçar, i lindur në Gostivar të Maqedonisë, por në vitin 1992 u transferua në Zvicër, bashkë me familjen e tij.
