Me një vendim të veçantë Qeveria e Maqedonisë ka ndërhyrë në kontrollin e çmimeve të disa produkteve të cilat u shtrenjtuan papritur menjëherë pas vërshimeve në Shkup dhe Tetovë. Siç njofton Ministria e Ekonomisë e Maqedonisë, produktet si: uji në shishe, qirinjtë për amvisëri, dorëza mbrojtëse, çizme të gomës, lopata, maska mbrojtëse dhe mjete për dezinfektim, u shtrenjtuan nga tregtarët, për shkak të rritjes së kërkesës në treg.
“Ministria e Ekonomisë sqaron se duke e shfrytëzuar kërkesën e rritur të këtyre prodhimeve, disa tregtarë i rritën çmimet e ujit në shishe, qirinjve për amvisëri, dorëzave mbrojtëse, çizmeve të gomës, lopatave, maskave mbrojtëse dhe mjeteve për dezinfektim, kështu që qëllimi i këtij Vendimi është të kthehen çmimet e këtyre prodhimeve në nivelin i cili ka vlejtur deri më 5 gusht të këtij viti (para vërshimeve), kur kërkesa për këto prodhime ka qenë normale, d.m.th. nuk ka pasur kërkesa për sasi të konsiderueshme të këtyre prodhimeve”, thuhet në këtë vendim.