Drejtorja për çështje sociale në Kantonin e Urit, Barbara Bär ka ushtruar kallëzim penal kundër personave të panjohur. Këtë e ka bërë pas protestave të zhurmshme të një pjese të popullatës kundër qendrës së planifikuar për strehimin e azilkërkuesve në Seelisberg të këtij kantoni.
Njoftimin për kallëzimin penal në fjalë e ka konfirmuar për agjencinë e lajmeve SDA edhe Polocia e Kantonit të Urit.
Kallëzimi penal bëhet lidhur me thashethemet sipas të cilave zyra e patundshmërive që është në pronësi të bashkëshortit të drejtores së përmendur është përfshirë në qiradhënien e qendrës së azilit.
Ndërtimi i planifikuar i qendrës ka ngjallur pakënaqësi të mëdha në fshatin Seelisberg. Me rastin e një mbrëmjeje informative të mbajtur me qytetarët javën e kaluar ka pasur edhe sharje e fyerje në drejtim të zonjës Bär. Për këtë arsye mbledhja ishte dashur të ndërpritej.