Ka hequr dorë nga pushimet për të mos humbur kontaktin me lojën. Etrit Berisha është portieri që ka marrë vendimin për të luajtur një rol protagonisti në portën e Lazios, shkruan albinfo.ch.
Ky është viti i fundit në kontratë me skuadrën romane dhe gjithashtu mundësia e fundit që ai të tregojë se meriton t’i jepet mundësia për të veshur dorezat e titullarit.
Gardiani i lindur në Prishtinë i është përkushtuar tërësisht aventurës me Lazion pas evropianit, duke zgjedhur të udhëtojë me ekipin drejt lokalitetit malor, Auronzo di Cadore.
Në dy miqësoret e zhvilluara, Berisha është aktivizuar që nga minuta e parë, por ai e di shumë mirë se këto janë ditë vendimtare për të ardhmen e tij. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Instagram”, ai shprehet i kënaqur me fazën përgatitore, duke theksuar se skuadra duhet të shikojë përpara. Një lider i vërtetë Berisha për Lazion ku tashmë Simone Inzaghi duhet të marrë një vendim përfundimtar për fatin e portës bardhekaltër, në të kundërt, Berisha është gati të nisë një aventurë të re larg kryeqytetit, pasi ofertat në adresë të tij nuk mungojnë.