Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Odise Roshi është larguar nga Rijeka dhe shumë shpejt pritet të hedhë firmën për klubin e tij të ri, Terek Groznin, shkruan albinfo.ch.
Klubi çeçen që luan në kampionatin rus, pasi ka siguruar shërbimet e sulmuesit të përfaqësueses shqiptare, Bekim Balaj, është interesuar edhe për mesfushorin e krahut të djathtë, të vetëdijshëm se dy kuqezinjtë formojnë një dyshe shumë të fortë kur luajnë përkrah njëri-tjetrit.
Pas kontakteve në ditët e fundit mes menaxherit të Roshit, Shkumbin Qormemeti, me klubin në fjalë, është gjetur akordi si për shifrat financiare personale, ashtu edhe për vlerën e kartonit që duhej t’i paguanin Rijekës.
Kësisoj, Roshi ka udhëtuar drejt Italisë, ku aktualisht gjendet e grumbulluar skuadra e Terek Groznit. Futbollisti po kryen të gjitha vizitat mjekësore para se të zyrtarizohet marrëveshja mes palëve.