Nuk është Xherdan Shaqiri fituesi i garës për golin më të bukur të “Euro 2016”. Goli me gërshërë i mesfushorit shqiptar që luan për Zvicrën, e realizuar kundër Polonisë, nuk ka triumfuar në votimin e organizuar nga UEFA, pasi vendi i parë i ka shkuar golit të shënuar nga hungarezi Zoltan Gera, shkruan albinfo.ch.
Mesfushori 37-vjeçar i Ferencvaroshit, realizoi golin e avantazhit në ndeshjen mes Hungarisë dhe Portugalisë në fazën në grupe të turneut, sfidë e përfunduar me shifrat 3:3. Sipas të dhënave të UEFA-s, gjuajtja e tij nga jashtë zonës që mposhti portierin Rui Patricio, ka marrë 32 % të votave të përgjithshme.
Në garë, përkrah Geras dhe Shaqirit, ishin edhe perla të tjera të këtij turneu si goli i realizuar nga Robson Kanu kundër Belgjikës, goditja me thembër e Cristiano Ronaldos ndaj Hungarisë apo edhe gjuajtja e Radja Naingolan kundër Uellsit.