Gjatë kësaj vizitë ministri Hoti dhe homologu i tij, Wolfgang Schäuble, kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale financiare ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë për Marrëveshjen Kornizë për bashkëpunim teknik financiar 2016 – 2017, e cila pritet të nënshkruhet nga të dy qeveritë gjatë vjeshtës së këtij viti. Me këtë marrëveshje parashihet bashkëpunimi dhe financimi i projekteve të ndryshme në fusha prioritare, si në: Infrastrukturë publike (ujëra dhe energji), zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe promovimin e punësimit, demokraci, shoqëri civile dhe administratë publike, si dhe edukim, thuhet në komunikatën për media, njofton albinfo.ch.
Në këtë takim u diskutua edhe për inicimin e marrëveshjes për eliminimin e Tatimit të Dyfishtë ndërmjet dy vendeve, si dhe për idenë e krijimit të një mini-berze.
Ministri Avdullah Hoti, duke falënderuar lart mikpritjen e homologut të tij, z. Schäuble, tha se shteti gjerman është një ndër donatorët dhe bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës, të cilët ndër vite kanë mbështetur Qeverinë e Republikës së Kosovës në projekte të ndryshme për përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve të Kosovës.
Ndërsa, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, duke vlerësuar lart bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës, tha se Gjermania e konsideron Kosovën si njërin nga vendet më të rëndësishme për bashkëpunim dhe shprehu gatishmërinë e shtetit të tij për të vazhduar këtë bashkëpunim edhe më tej.
Ministri gjerman i Financave është person me aftësi të kufizuara fizike, pasi që jeton në karrocë invalidi, por kjo nuk e ka penguar Gjermaninë ta bëjë ministër atë. Ai madje konsiderohet ndër njerëzit më të fuqishëm politikisht në këtë shtet.