Janë mobilizuar autoritetet komunale në Viti me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira dhe të shpejta për bashkatdhetarët, të cilët vijnë për pushime.
Drejtoria e Administratës ka përgatitur një plan të veprimit për periudhën korrik-gusht 2016. Gjatë këtyre muajve kjo drejtori, konkretisht sektori i gjendjes civile, arkivit dhe zyra pritëse zakonisht përballën me shtimin e kërkesave të qytetarëve për shërbime administrative, transmeton albinfo.ch.
Isak Sadiku, drejtor i Drejtorisë për Administratë në Komunën e Vitisë, tha për mediat lokale se edhe gjatë kësaj periudhe, kur do të shtohet vëllimi i punës në këtë drejtori, ata janë të përgatitur që të presin sa më mirë bashkatdhetarët, të cilëve u ofrohen sportele të kësaj drejtorie për shërbimet administrative.
Përveç shtimit të kapaciteteve, autoritetet komunale kanë premtuar se nëse vjen deri te shtimi i kërkesave të qytetarëve për shërbime administrative, do të zgjasin edhe orarin e punës për shërbyesit civilë në sektorin e gjendjes civile, sektorin e arkivit dhe në zyrën pritëse.