Dje, një grup prej rreth 40 refugjatësh romë nga Ballkani dhe përkrahësish të tyre, ka pushtuar katedralen e Regensburgut, Bavari. Ata, me karroca fëmijësh dhe duke mbajtur transparente në duar kanë demonstruar kundër dëbimit që i pret, shkruajnë mediat gjermane.
Në qëndrimin e tyre, të cilin e ka shpërndarë edhe Këshilli i Refugjatëve i Bavarisë, ata thonë se angazhohen që Serbia, Maqedonia, Bosnja, Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi të mos konsiderohen më si vende të sigurta të prejardhjes, transmeton albinfo.ch Kjo për faktin se romët në këto shtete i pret ndjekja, racizmi dhe përjashtimi.
Veç kësaj ata ankohen se refugjatët ballkanikë detyrohen të presin përpunimin e kërkesave të tyre për azil duke jetuar në “kampe speciale” në kushte kazerme.
Ipeshkvia e Regensburgut ka deklaruar se do të ofrojë ndihmë humanitare dhe përkujdesje të refugjatëve, në veçanti fëmijëve në katedrale, përcjell albinfo.ch Ndërsa rreth çështjeve politike duhet të vendosin nivelet përkatëse politike.