Tre muaj pasi Hashim Thaçi u largua nga Qeveria e Kosovës për të marrë postin e presidentit të shtetit, dy liderët e koalicionit qeverisës, Isa Mustafa dhe Kadri Veseli reflektuan duke riformatuar qeverinë. Në vend të Thaçit, shef i diplomacisë kosovare u emërua Enver Hoxhaj, ndërsa zëvendëskryeministër Hajredin Kuçi, i cili njëherësh është edhe Ministër i Drejtësisë.
Ndryshimet në qeveri u zyrtarizuan në një konferencë të jashtëzakonshme që mbajtën partnerët e koalicionit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe njëherit kryetari i PDK-së Kadri Veseli tha se Ministër i Jashtëm do të jetë Enver Hoxhaj, i cili ka qenë në këtë post edhe në Qeverinë e kaluar. Ktë ministri nga ikja e Hashim Thaçit e ka drejtuar Petrit Selimi, si ushtrues detyre.
Në konferencën e jashtëzakonshme për media, Veseli tha se reformat për të cilat kanë diskutuar kanë të bëjnë në përmirësimin e gjendjes së bizneseve dhe tërheqjes së investitorëve të huaj.
“Kemi marrë disa vendime të përbashkëta: në rend të parë jemi marrë vesh që të kemi një etapë të re, ndërmarrjen e reformave për ekonomi dhe mundësi të reja për punësim dhe krijimin e një situate më të favorshme në veçanërisht në bizneseve vendore dhe tërheqjen e investimeve të huaja”, ka thënë Veseli.