Sipas një sondazhi të realizuar nga Instituti Gjerman për Hulumtime Ekonomike (DIW) 57 për qind të gjermanëve konsiderojnë se Gjermania, për shkak të migracionit po bëhet vend më i keq për të jetuar në të.
Në këto kushte, kancelarja Merkel ka hedhur poshtë një propozim të nënkancelarit dhe kryetarit të SPD-së, Sigmar Gabriel për krijimin e një pakoje sociale për gjermanët me gjendje të keqe materiale.
Merkel në një intervistë dhënë revistës “Bunte” ka treguar mirëkuptim për bashkëkombësit e saj të cilët janë pa punë ose kanë të ardhura të ulëta. Mirëpo ajo megjithatë u është drejtuar atyre me kërkesën që të kuptojnë vështirësitë e refugjatëve. Merkel u ka thënë gjermanëve se do të ishte mirë që të takojnë personalisht dhe të njihen me njerëz të tillë, të ikur nga dhuna në vendet e tyre të cilët kanë kërkuar mbrojtje në Gjermani.