Policia e Kosovës, ka arrestuar sot (e enjte) në Prishtinë, një shtetas turk që kishte ardhur në Kosovë të merrej me gastronomi, e ndërkohë ishte marrë me kontrabandimin e imigrantëve. Ky shtetas turk ka qëndruar ilegalisht në Kosovë dhe gjithë veprimtarinë e kishte zhvilluar “legalisht”.
“I njëjti persona O.A ka qëndruar legalisht në Kosovë, me qëllim, sipas tij, të marrjes me gastronomi dhe këtë qëndrim e ka keqpërdorur duke kontrabanduar shtetasit aziatikë e sidomos ata turq drejt vendeve të BE –së, duke u siguruar atyre garancione fiktive, kinse po vijnë në Republikën e Kosovës me qëllim biznesi apo vizite”, njofton Policia.
Dyshohet se ky shtetas turk, kontrabandimin e ka kryer kryesisht përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ku janë zbuluar disa raste të tilla të kontrabandimit, kryesisht të familjeve turke, të cilave pas kryerjes së procedurave adekuate, u është refuzuar hyrja në Kosovë dhe janë kthyer prapa.
“Për kontrabandimin e një familje nga Turqia deri në shtetet e BE-së i dyshimti, dyshohet se ka përfituar para të gatshme në vlerë prej rreth 12.000 euro”, njofton Policia.
Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, i dyshuari është dërguar në qendrën e ndalimit në Prishtinë për 48 orë.