Pesë javë para përfundimit të kampionatit të Superligës së Zvicrës, FC Basel ka siguruar titullin e kampionit dhe këtë, për të shtatën herë me radhë!
Pas fitores si vendës me rezultat 2:1 kundër Sionit, ekipi i trajnerit Urs Fischer ka arritur distancën e mjaftueshme ndaj të dytit në tabelë, sa të mos ia rrezikojë më askush titullin e radhës.
Duke fituar shtatë herë me radhë titullin e kampionit, FC Basel është mbajtës i rekordit në historinë e futbollit zviceran. Njëherësh ky është titulli i 19-të i tij në gjithë historinë e ligës.
Për më tepër, diferenca e madhe që po e arrin Bazeli në krahasim me klubet tjera, e ka bërë si të thuash punë të ditur me kohë se kush do të jetë kampioni.
FC Basel mbrëmë ka festuar titullin e kampionit në sheshin e njohur të qytetit Barfüssplatz ku tradicionalisht grumbullohen tifozë të shumtë të tij dhe kremtojnë së bashku me lojtarët.