Pas panikut në të cilin mbajti për dy ditë opinionin zviceran, babai nga Zugu me dy fëmijët e tij, siç ështe shkruar tashmë, janë gjetur në gjendje normale, në Itali. Mirëpo, kërkimi i atyre që konsideroheshin të humbur, i ka shkaktuar shpenzime të mëdha policisë së kantonit të Zug-ut.
Gjatë 48 orëve të fundit, ishin përfshirë të gjithë efektivat e të gjithë sektorëve të kësaj policie në hulumtimin për gjetjen e tre banorëve të Zugut.
Policia megjithatë, “për shkak të vazhdimit të hetimeve” nuk ka bërë të ditur numrin e saktë të trupave që kishte angazhuar.
Sipas përgjegjësve policorë ende nuk është vendosur nëse “zhdukja” e babait do të regjistrohet në kategorinë e “aksioneve emergjente” ose do të detyrohet vetë ai të mbulojë shpenzimet e shkaktuara.
Sidoqoftë, nëse detyrohet të paguajë, babai 51 vjeçar nuk do ta ketë aspak lehtë. Të kujtojmë se në aksionin e gjetjes ishin angazhuar, veç tjerash, edhe helikopterë ushtarakë!