Një ngjarje e pazakonshme ka ndodhur këto ditë në Cyrih. Një i ri 21 vjeçar nga Tunizia është „kontrabanduar“ në Zvicër, duke hyrë fshehur në hapësirën e rrotave të autobusit që po sillte drejt Zvicrës skuadrën e futbollit FC Zürich.
Skuadra e përmendur ndodhej në Tunizi, për stërvitje, ndërsa pas shpërthimit të trazirave atje, po kthehej para kohe në Zvicër.
Plot 30 orë ka zgjatur odisejada e tunisianit të ri, i cili, për të mbërritur në Zvicër ka marrë në sy një sakrificë kaq të madhe. Atë e kishin zbuluar rastesisht pastruesit e autobusit, në vendparkim, të cilët pastaj kishin njoftuar policinë, bën të ditur drs.ch.
Si në ndonjë mrekulli, i riu nga gjithë ky mundim ka shpëtuar pa kurrfarë lëndimi. Mirëpo ai nuk ka mundur t`i shpëtonte policisë, e cila e ka dorëzuar atë në prokurori.