Federata e Sindikatave të Zvicrës (SGB) bashkë me sindikatën UNIA kanë kërcënuar me mundësinë e organizimit të një referendumi në rast se Zvicra do të bëjë pranimin automatik të legjislacionit të BE-së në lëmin e punës.
Sindikalistët nuk duan të pranojnë që Gjykatës Evropiane t`i jepet mundësia për të bërë vlerësimin e masave mbrojtëse që ndërmerr Zvicra për të mbrojtur tregun e saj të punës. Ata druajnë se kjo gjykatë do të vendoste në dëm të Zvicrës në çështjen e mbrojtjes së punëmarrësve, shkruan tagesanzeiger.ch.
Ajo që sindikalistët i frikësohen më shumë është “dumpingu” i pagave. Ky vjen si pasojë e lirisë së qarkullimit, e cila u mundëson punëmarrësve nga vendet e BE-së të gjejnë punë në Zvicër dhe me këtë rast, duke pranuar paga më të ulëta, të krijojnë konkurrencë jolojale në raport me punëmarrësit zviceranë.