Ndonëse ekipi i tij Vaduzi nuk po arrin të këndellet, megjithatë Armando Sadiku nuk rresht së shënuari gola. Sulmuesi i kombëtares shqiptare Armando Sadiku e gjeti edhe një herë rrugën e rrjetës në Superligën e Zvicrës. Goli i tij erdhi pikërisht për të barazuar rezultatin për ekipin, por gëzimi i tij nuk zgjati deri në fund, pasi që në përfundim të ndeshjes fitues doli ekipi kundërshtar, Young Boys.
Falë Sadikut Vaduzi është edhe në finalen e Kupës së Zvicrës ku mund të kualifikohet për në Ligën e Evropës.
Me golat e shënuar që nga kalimi i tij nga FC Zurich në Vaduz, Sadiku është duke shfaqur performacë të jashtëzakonshme dhe aktualisht është sulmuesi më në formë i kombëtares shqiptare dhe thuajse e ka të siguruar “biletën” për të qenë pjesë e ekipit të kombëtares në “Euro 2016”.
Formë të mirë në mesfushë vazhdon të shfaq edhe lojtari tjetër i kombëtares në FC Bazel, Taulant Xhaka. Edhe në formacionin e javës së 28-të të Superligës Zvicerane, Taulant Xhaka ka zë vend në 11-ëshen më të mirë të kësaj jave. Gazeta zvicerane “Blick” shkruan se është lehtë ta kuptosh kur Xhaka ndodhet në ditën e tij të mirë. “ Si mund ta dish kur ai është në ditën e tij të mirë: I gjallë, i fortë dhe i saktë në ndërhyrje. Praktikisht pa gabime”, transmeton “albinfo.ch”.
