Gjatë vitit të kaluar në landin Baden Württemberg të Gjermanisë, janë natyralizuar 17.546 të huaj. Sipas Zyrës për Statistika të këtij landi, me këtë është rritur për 4 për qind numri i atyre që kanë marrë pasaportën gjermane në krahasim me një vit më parë, transmeton albinfo.ch mediat gjermane. Në përgjithësi ky është numri më i madh që është regjistruar që nga viti 2003. Ndërkaq, në krahasim me vitin 2000 numri i të natyralizuarve megjithatë ka pësuar rënie prej 40 për qind.
Kosovarët janë në vendin e dytë në listën e atyre që kanë marrë pasaportat gjermane në këtë land. 1376 shtetas të Kosovës janë natyralizuar gjatë vitit 2015 në Baden Württemberg. Ata vijnë menjëherë pas turqve nga të cilët këtë e kanë bërë 3369 persona. Ky duket një zhvillim interesant kur dihet se në Gjermani përqindja e kosovarëve nuk është aq e lartë siç është për shembull në Zvicër, shkruan albinfo.ch.
Në vendin e tretë për nga numri i të natyralizuarve janë shtetasit e Kroacisë, gjegjësisht 1128 veta.
Në mesin e 15 shteteve të para të prejardhjes në këtë listë, janë 12 shtete evropiane, dy aziatike (Iraku dhe Irani) dhe një i Amerikës Latine (Brazili).