Kosova ka bërë shumë punë dhe ajo duhet të tregojë se mund të zhvillohet ekonomikisht, pasi ka kapacitete dhe resurse për ta bërë një gjë të tillë. Një veçori e Kosovës lidhet me natyrën dhe bukuritë që janë të shumta.
Kështu ka deklaruar drejtori i Programit për Ndërmarrje Private në Kosovë i USAID-it, Mark Wood. Wood në një intervistë për gazetën “Epoka e Re” theksoi se të gjitha punët që janë bërë në këto vitet e fundit në Kosovë, duke veçuar ofertat turistike, kanë bërë që disa mediume më të fuqishme në botën perëndimore ta sugjerojnë Kosovën si vend, i cili duhet të vizitohet në vitin 2011, pasi të gjithë vizitorët do të kenë çfarë të shohin.
USAID-i po i ndihmon vendit më të ri në Evropë të fillojë të njihet si destinacion turistik. “Me peizazhin e saj të mrekullueshëm, me male që krahasohen me alpet, me hotele të drejtuara nga familje që ofrojnë kuzhinë tradicionale, Kosova është një vend mahnitës për t’u vizituar.
Nisma e ‘National Geographic’ do ta sjellë Kosovën në vëmendje të atyre që planifikojnë të udhëtojnë në Ballkanin Perëndimor”, tha Wood.