Gjendja në Sri Lanka është qetësuar dukshëm, ka vlerësuar sot Enti Federal për Migracion në një komunikatë shtypi. Për këtë arsye, azilkërkuesit tamilë të ardhur nga atje, të cilëve nuk u është njohur statusi i refugjatit, duhet të kthehen.
Duke filluar nga qershori i këtij viti, enti i përmendur do të bëjë shqyrtimin e statusit të personave nga Sri Lanka, të pranuar përkohësisht, me ç`rast do të shoshitë secilin rast veç e veç.
Kjo, për arsyen se jo të gjithë ata do të kthehen në Sri Lankë, shkruan nzz.ch. Një pjesë e tyre që vijnë nga regjione jo stabile, do të lejohen të qëndrojnë përkohësisht në Zvicër.
Po kështu Enti për Migracion reagon për gjendjen e mjerueshme të kushteve për azilkërkuesit në Greqi. Për këtë arsye, Zvicra nuk do t`i dërgojë më në Greqi azilkërkuesit të cilët kanë ardhur në Evropë duke shfrytëzuar territorin grek.