Kryeministri në largim Hashim Thaçi e vlerësoi rivotimin e së dielës në Mitrovicë si proces pozitiv dhe premtoi se në momentin që do të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, ai do ta fillojë me krijimin e koalicionit për qeveri të ardhshme dhe kjo do të bëhet në afatin e paraparë me Kushtetutë.
Kryeministri i bëri këto komente pas takimit që pati me Denis McShane, ish-ministrin britanik për çështje të Evropës, raporton RTK.
Po ashtu McShane i vlerësoi pozitivisht votimet e së dielës. Ai tha se më herët Kosova e cila ka ngecur në disa procese, tani duhet ta marrë udhërrëfyesin për viza, në mënyrë që t’i bashkohet familjes evropiane. McSane e bëri të qartë nevojën që Kosova të njihet nga të gjitha vendet e BE-së.
Në këtë takim kryeministri Thaçi tha se i është shumë mirënjohës Denis McShane-it dhe qeverisë britanike për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës, zhvillimit të saj dhe bërjes së shtetit të pavarur.