Të dielën pas mesnate, gjatë një kontrolli rutinor në magjistralen A 8, në afërsi të Suben, policia austriake ka kontrolluar një autobus të linjës Budapest – Bruksel – Londër.
Gjatë kontrollimit është gjetur një person me disa leje qarkullimi dhe pasaporta të falsifikuara sllovake. Përveç pasaportës, ai kishte bërë edhe patentë shoferin si dhe lejen e qëndrimit. Policia austriake atij i gjeti edhe dy dokumente të tjera të falsifikuara si dhe pasaportën origjinale të Shqipërisë.
Në kërkim e sipër u bë e ditur se shqiptari 35-vjeçar e kishte të ndaluar hyrjen në zonën Shengen, prandaj ai kishte menduar të falsifikonte të gjitha dokumentet e nevojshme të tij, shkruajnë mediet austriake.
Gjatë marrjes në pyetje nga policia austriake, ai ka pohuar se kishte kaluar nga Serbia nëpërmes Hungarisë në të ashtuquajturin kufiri i gjelbër. Qëllimi i tij ishte që të shkojë në Angli dhe atje të punojë si qytetar i BE-së.
Pasi i janë konfiskuar dokumentet e falsifikuara, shqiptari po mbahet në paraburgim në Linc.