Pas dhjetë muaj pezullimi, janë realizuar dje riatdhesimet e para të azilkërkuesve nigerianë në vendin e tyre. Në muajin mars të vitit të kaluar, një refugjat nigerian kishte vdekur në aeroportin e Cyrihut gjatë kohës kur autoritetet zvicerane po përpiqeshin ta riatdhesonin me masa detyruese.
Numri i të kthyerve të djeshëm është modest, gjithsej tre, por sipas asaj që zyrtarë të Entit Federal për Migracion i kanë deklaruar emisionit 10 vor 10, edhe kjo konsiderohet nismë e mbarë.
Së paku 120 azilkërkues nigerianë janë në burgjet për dëbim ndërsa mbi 600 të tjerë në faza të ndryshme të trajtimit të kërkesave për azil. Siç është bërë e ditur nga institucionet përkatëse, mbi 99 për qind e azilkërkuesve nga ky vend nuk kanë gjasa për të fituar azilin.