Ministri i Ekonomisë dhe Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të dy postet. Meta u ka deklaruar gazetarëve se vendimi i tij është personal dhe ka si qëllim lehtësimin e hetimit të prokurorisë ndaj tij.
“Jap dorëheqjen e parevokueshme si ministër i Ekonomisë dhe si zëvendëskryeministër. Dorëheqjen ia kam komunikuar kryeministrit Berisha dhe pas këtij momenti jam në dispozicion të prokurorisë për hetim”, ka deklaruar Meta.
Ai ka theksuar se është i gatshëm të përballet me drejtësinë, gjë që nuk mund ta bënte për sa kohë kishte poste qeveritare që i garantonin atij imunitet.
“Ky ka qenë dhe mbetet vendimi im personal dhe mbetet gjithashtu i parevokueshëm. Nuk mund të paraqitem si zëvendëskryeministër dhe ministër në prokurori”, ka pohuar Meta.