Gjatë vitit të kaluar policia e Zvicrës ka shënuar më pak delikte në përgjithësi në krahasim me vitin paraprak. Madje, siç bën të ditur Statistika kriminalistike në nivel federal, gjatë vitit 2015 ka pasur 7.3% më pak vepra penale se sa në vitin 2014.
Rënie veçanërisht të madhe ka shënuar numri i vjedhjeve me thyerje. Plot 19 për qind më pak vjedhje të tilla janë regjistruar gjatë vitit të kaluar, krahasuar me vitin pararendës, shkruan srf.ch. Me shifra kjo duket kështu: në vitin 2015 ka pasur 9922 vepra të tilla penale më pak se në vitin 2014, gjegjësisht numri i tyre ka rënë në 42.416.
Por, rritje gjatë kësaj kohe ka shënuar numri i shkeljeve të ligjit për lëndët narkotike dhe ai i dhunës dhe kërcënimit ndaj autoriteteve shtetërore, transmeton albinfo.ch.
Duhet shënuar me këtë rast se statistika kriinalistike e policisë publikon të dhënat mbi numrin e kallëzimeve për veprat penale por jo edhe atë të vendimeve gjyqësore.