Në organizim të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, të enjten, më 24 mars, në Cyrih do të mbahet “Misioni Tregtar në Zvicër”, me pjesëmarrje të dhjetëra kompanive nga Republika e Kosovës dhe diaspora.
„Do të prezantohen disa nga kompanitë më të suksesshme, e që janë shembull me arritjet dhe rezultatet, me qëllim që të përçohet mesazhi dhe të inkurajohen bizneset për të punuar dhe përkushtuar në zhvillimin dhe përparimin e bizneseve të tyre“, thuhet në njoftimin e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër.
Biznesmenët e pranishëm nga Kosova dhe diaspora do të njihen mes veti dhe të shihen mundësitë për vendosjen e bashkëpunimit.
Në këtë takim biznesi do të marrin pjesë edhe ministri i Diasporës së Kosovës, Valon Murati, përfaqësues nga Ministria e Tregtisë, ambasadori i Kosovës në Bernë, Mustafë Xhemaili, sekretari i Parë i Ambasadës së Shqipërisë në Bernë, Kastriot Noli, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, përfaqësues nga UNDP-ja.
Gjithashtu do të vizitohen edhe disa kompani për të parë nga afër punën dhe arritjet e tyre.