Me organizim të përbashkët të Ministrisë së Diasporës, Rrjetit të Bizneseve Shqiptare të Diasporës, Odës Amerikane në Kosovë, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht KIESA-s si dhe me përkrahjen e UNDP-së, ministri Valon Murati është duke marrë pjesë në vizitën e bizneseve kosovare në diasporë.
Në këtë vizitë janë duke marrë pjesë një numër i bizneseve të suksesshme nga Kosova dhe janë pritur nga biznese të diasporës shqiptare.
Në kuadër të kësaj vizite është mbajtur edhe takimi i përbashkët nga Kosova dhe Austria, ku janë prezantuar bizneset e Kosovës, si dhe janë hapur mundësi të reja të bashkëpunimit.
Po ashtu janë vizituar edhe disa nga bizneset e suksesshme të diasporës shqiptare në Austri, si “Blakaj Fenster und Turen”, “Tolaj GmbH” dhe “Immobilienverwetung GmbH”, thuhet në një njoftim të MD-së.
Si rezultat i këtij forumi pritet të nënshkruhen kontrata për bashkëpunim ndërmjet bizneseve nga Kosova, ato të diasporës dhe bizneseve austriake në fusha të ndryshme, ndërsa grupi do të vazhdojë vizitën në formatin e njëjtë ditët në vazhdim edhe në Berlin të Republikës Federale të Gjermanisë.