Pothuajse të gjitha fluturimet dhe aterimet e parapara në aeroportin “Aleksandri i Madh” në Shkup sot janë anuluar për shkak të mjegullës së dendur, bëjnë të ditur zyrtarët e Aeroportit të Shkupit.
Në mëngjes në orën 8:00 ka fluturuar vetëm një aeroplan për në Cyrih. Janë të anuluara fluturimet për në Vjenë, Budapest, Zagreb, Beograd, Podgoricë dhe Bursë.
Mjegulla në mëngjes nuk mundësoi as aterimin e aeroplanëve nga Budapesti, Cyrihu, Bursa dhe Vjena. Një pjesë e tyre kthehen, ndërsa një pjesë tjetër drejtohen për në Ohër.
Nga aeroporti i Shkupit informojnë se qarkullimi ajror do të normalizohet nëse këtë e lejojnë kushtet kohore.