Posta e Kosovës ka lëshuar të hënën në qarkullim emisionin më të ri të pullave postare që kësaj here përmban veprat e piktorit të njohur, Rexhep Ferri. Ky i fundit gjen vend në zgjedhjet e kërkuara figurative – abstrakte, të cilat në raportet që marrin ndaj njëra-tjetrës, konsultojnë qëndrimin filozofik të tij.
“Në veprat e tij gjithmonë shfaqet një formulë e lindur nga realiteti në tranzicion, si reaksion i gjallë i elementeve përbërëse të komunikimit vizual, shpesh duke e përmbyllur me shenja të dukshme dhe kuptimplote si një ndjeshmëri artistike”, thuhet nëp njoftimin e Postës kosovare.
Vepra e Rexhep Ferrit, e brendashkruar në periudhën e artit modern të Kosovës, sipas të njëjtit njoftim, ka hyrë tashmë në fondin e artë të trashëgimisë së artit pamor shqiptar, për risitë formale moderniste, për origjinalitetin e tij si artist, si dhe për dinjitetin dhe vlerat njerëzore që ai i bartë.
Ferri është anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.