Gjykata Administrative Federale deri në një vendim tjetër nuk do të kthejë mbrapsht azilkërkuesit nga Zvicra në Hungari. Një vendim të tillë e kanë marrë njëzëri 28 gjyqtarë të të dy seksioneve të azilit në këtë gjykatë, njofton përgjegjësi për komunikim i kësaj gjykate, duke vërtetuar kështu një raportim të gazetës NZZ.
Fjala është gjithnjë për ata azilkërkues të cilët në zonën e Shengenit kanë hyrë përmes Hungarisë, dhe të cilëve u është hedhur poshtë kërkesa për azil, bërë Sekretariatit Shtetëror për Migracion, transmeton albinfo.ch. Në këtë mënyrë, ata e fitojnë të drejtën e qëndrimit të përkohshëm në Zvicër.
Siç dihet, Hungaria vitin e kaluar kishte ngritur përgjatë kufirit të saj me Serbinë dhe Kroacinë një gardh qindra kilometrash për të penguar hyrjen e refugjatëve. Po ashtu ajo dënon me burg deri në pesë vjet kalimin ilegal të kufirit.