Mbrëmjen e të shtunës në St. Moritz është mbajtur spektakli humanitar i Kryqit të Kuq “Red Cross Gala”. Me 830 mijë frangat e grumbulluara nga 350 të ftuarit, kjo mbrëmje ka shënuar rekord të llojit të vet.
Paratë e dhuruara destinohen për projekte të sigurimit të ujit në vendet në zhvillim. Në radhë të parë do të përfitojnë viktimat e katastrofave të harruara, siç janë ato të tërmetit në Nepal, thuhet në një komunikatë të Kryqit të Kuq.
Në prill të vitit 2015 zonën e Himalajeve e pati goditur një tërmet prej 7.8 ballësh, si pasojë e të cilit patën humbur jetën së paku 9000 njerëz, ndërsa ishin shkatërruar rreth 600 mijë shtëpi.
Kryqi i Kuq mbështet paralelisht edhe 15 vende të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine në përmirësimin e infrastrukturës për ujësjellës dhe higjienë.
Mbrëmja gala e organizuar në Badrutt`s Palace Hotel në St. Moritz bën pjesë në kuadrin e shënimit të 150 vjetorit të themelimit të Kryqit të Kuq.