Brenda tre muajve të fundit (tetor, nëntor, dhjetor) të vitit të kaluar, rreth 332 mijë qytetarë e kanë shfrytëzuar Aeroportin Ndërkombëtare “Adem Jashari” në Prishtinë për udhëtim. Kjo shifër, tregon se në fundvit numri i qytetarëve që shfrytëzojnë aeroplanin si mjet transporti, është rritur për 4.47 për qind.
Këto të dhëna i ka publikuar sot Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në raportin: “Statistikat e Transportit dhe Telekomunikacionit”, me të dhëna mbi Transportin Ajror, Hekurudhor, dhe Postë Telekomunikimin për tremujorin e katërt 2015.
“Numri i fluturimeve në tremujorin e katërt të vitit 2015 ishte 1387, ose 0.22 për qind më pak se në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar 2014”, thuhet në raportin e ASK-së. Sipas këtyre statistikave, kosovarët vazhdojnë ta shfrytëzojnë pesë herë më shumë transportin ajror se atë hekurudhor.
Në territorin e Kosovës, sipas ASK-së, janë gjithsej 333 km binarë hekurudhorë për transport dhe 110 privatë, derisa qarkullojnë 8 lokomotiva disel, të cilat bartin 27 vagonë, 9 të udhëtarëve dhe 18 për bagazh.
“Në tremujorin e katërt të vitit 2015, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi është 66 mijë, ku krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2014 numri i udhëtarëve është ulur për 19.74 për qindË, thuhet në raport.
Ndërsa transporti i mallrave me tren në tremujorin e katërt të vitit 2015 kishte shënuar rritje. Sipas Agjencia e Statistikave të Kosovës në tremujorin e fundit ishte 159 mijë tonë, ndërsa në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar, ka pasur ngritje për 9.97 për qind.