Plot 630 mijë konto të fondit pensional (arkave pensionale «Pänsionskasse») në Zvicër «nuk kanë zot», gjegjësisht nuk janë shfrytëzuar nga personat të cilëve u kanë takuar. Të gjitha këto së bashku përbëjnë një shumë prej 3 miliardë frangash.
Por si ka ndodhur që të harrohet apo të humbet një sasi kaq e madhe parash?
Sipas shefit menaxhues të fondacionit BVG, paratë janë harruar më së shpeshti me rastin e ndërrimit të vendeve të punës ose në rastet kur personat e prekur për arsye të ndryshme kanë ndërprerë punë. Ai thotë për srf.ch se të punësuarit bartin vetë përgjegjësinë për trasferimin e parave në konton e re, kur e ndryshojnë vendin e punës, transmeton albinfo.ch. Ata po ashtu në rastet e përmendura mund t`i derdhin paratë në një konto të lirë, të pavarur nga cilido vend i punës.
Dhe, nëse nuk ndodh asnjëra nga këto, paratë shkojnë në fondin e përmendur.