Posta e Zvicrës ka bërë përpunimin gjejësisht përgatitjen dhe transportimin e plot 18 milionë pakove vetëm nga 1 dhjetori deri më 24 dhjetor. Bëhet fjalë për periudhën më të gjallë brenda vitit, të dërgimit të pakove, e cila është pra pikërisht koha para Krishtlindjes.
Me 18 milionë pako, posta e ka tejkaluar vitin e kaluar ndërsa në përgjithësi, sipas një njoftimi të postës, ky është viti i pestë, nga viti 2012 e këndej, që numri i pakove të krishtlindjes po vjen duke u rritur.
Po ashtu një qarkullim të madh e ka pasur edhe dërgimi i letrave. Në ditët e pikut, gjithnjë gjatë periudhës parafestive, postierët kanë dërguar deri nga 20 milionë letra.
Nisur nga kjo ecuri, posta konsideron se grumbulli i pakove do të vazhdojë të rritet.
Posta e Zvicrës po e mbështet prej 19 vitesh aksionin «2XWeihnachten» (2 herë Krishtlindje). Deri më 9 janar në kuadër të këtij aksioni mund të dorëzohen donacione në të gjitha pikat e postës.